Tre zyrtarë policorë janë arrestuar, pasi dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjtit ishte i prangosur.

 

Vendimi është marrë nga Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit  (zyrtarë policorë) janë  ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet në komunikatën e përbashkët në mes të dy institucioneve.

Rasti raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët  policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”,thuhet në komunikatën e IPK-së.