Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas vendosjes së gurthemelit të një çerdheje sot në Prishtinë ka deklaruar se është gjithmonë i gatshëm për takime, konsultime konstruktive dhe bashkëpunim në mirëbesim.
Ai ka theksuar se për të arritur konsensus dhe kompromis në përbërjen e komisionit, ka ofruar dy alternativa konkrete.
“Kam ofruar dy kompromise,” tha Kurti. “I pari është që partitë politike t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre dhe nëse nuk dëshirojnë votim të fshehtë, atëherë ta rrëzojmë atë komision me votë. Sepse pa votë nuk rrëzohet, me bojkot nuk ecet përpara.”
Kurti shtoi se, pas rrëzimit të komisionit me votë, do të mund të ktheheshin në një votim të hapur me marrëveshje politike, ku kryetari dhe pesë nënkryetarët të votohen një nga një, por gjithnjë sipas një marrëveshjeje të dakorduar më parë, raoorton RTKlive.
Kompromisi i dytë, sipas Kurtit, ka ardhur nga kandidatja e propozuar nga VV për kryetare të komisionit, Albulena Haxhiu.
“Siç e dini, ajo ka deklaruar të premten se, nëse nuk votohet me votim të fshehtë, nuk do të pranojë të votohet dy herë për të, pra, do të tërhiqet. Le ta provojnë votimin e fshehtë: ose fiton Albulena, ose ne sjellim një emër tjetër.”
Kurti kritikoi qëndrimin e opozitës ndaj votimit të fshehtë, duke e krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare ndaj votimit të fshehtë, kur dihet që më 14 shkurt qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar me votë të fshehtë, të lirë e demokratike, dhe e kanë bërë Vetëvendosjen fituese. Ne kemi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, pra PDK plus LDK nuk e arrijnë shumicën që ka VV. Ky është fakt i jetës, fakt demokratik, me të cilin duhet të pajtohen”, tha ai.