Deputetët do të tentojnë për herë të 40-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari ka vijuar të dielën punimet seanca konstituive e Kuvendit.
Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj.
Kryesuesi Dehari rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati. Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.
Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj të martën, më 1 korrik, në orën 11:00.
Nga zhvillimet e tjera presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim, për shkak të situatës me ngërçin politik. Kështu ka njoftuar Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidencës së Kosovës për RTKlive.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim”, ka konfirmuar ai.
Më tej Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.
“Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë ai.