“Ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese që e thotë qartë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet sipas praktikave parlamentare të deritanishme. Praktikat parlamentare janë të qarta, votimi ka qenë gjithmonë i hapur, partia e parë duhet të propozojë dhe të sigurojë shumicën për kandidatin që e propozon. LDK nuk ka emra sa i përket kandidatit, ka qëndrim parimor dhe me plotë vullnet”, ka thënë ai.

Ai e ka quajtur procesin e kalimit nga votimi i hapur të kryekuvendarit në votim të fshehtë si proces arbitrar që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka lëvizje nga pozicionet që e kanë shkaktuar krizën deri më tani. S’mund ta quash kompromis insistimin e pozicionit tënd paraprak. Bëjeni zgjidhjen. Kompromisi pas aktgjykimit është i pakuptimtë. Tani duhet zbatuar aktgjykimin përndryshe bëjmë shkelje të rënda ligjore. Dhe natyrisht LDK do t’i drejtohet edhe Kushtetueses në mënyre që ajo të qartësojë aktin e tanishëm. Pas aktgjykimit për bindjen tonë ka ndodhur një përmbysje e rendit kushtetues sepse partia e parë ka refuzuar të respektojë Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Abdixhiku, teksa ka thënë se sipas tij, VV, ka bërë shkelje të Kushtetutës.

Osmani vazhdon takimet, pret Abdixhikun

Presidentja Vjosa Osmani është takuar edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ky është takimi i tretë i saj në vazhdën e takimeve me krerët politikë pas ngërçit dhe mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës pavarësisht 40 tentativave.

Osmani më herët u takua me kreun e LVV-së, Albin Kurti dhe të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në rend dite ka edhe takimin me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Këto takime vijnë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila obligon Kuvendin e ri që të konstituohet brenda 30 ditëve nga mbledhja e tij e parë. Megjithatë, që nga publikimi i këtij vendimi më 26 qershor, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e situatës.