Hoxha tha se është e çuditshme që edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka ndryshuar qasje, as në kthimin në pikën fillestare, në rendin e ditës, si dhe nuk ka asnjë lëvizje drejt krijimit të kompromisit ndërmjet partive politike.

“Nuk mund të quash kompromis për procese e akte që janë kundërkushtetuese. Votimi i fshehtë dhe procesi i votimit të Komisionin për votim të fshehtë është kundërkushtetues e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese” tha Hoxha.

Ajo shtoi se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese do të duhej të miratohej si i tillë e të mos diskutohej. “Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë që votimi i kryetarit apo kryetares së Kuvendit duhet bazuar në praktikat e kaluara”, sqaroi Hoxha, derisa shtoi se nuk mund të ketë dy lloj votimesh në një proces.

Tutje Hoxha qartësoi aktvendimin e Kushtetueses, duke thënë se seanca nuk është zhvilluar bazuar në norma kushtetuese që, sipas saj, kjo nënkupton devijimin e rendit të ditës.