Sot, më 2 korrik 2025, Dogana e Kosovës ka kryer një kontroll të detajuar në një subjekt afarist në Prishtinë, i cili merret me shitjen e telefonave mobil, pas pranimit të një informacioni nga një qytetar përmes linjave të hapura për raportimin e kontrabandës dhe veprave të tjera penale.
Dogana njofton se gjatë kontrollit të plotë të lokalit dhe hapësirave përcjellëse, në një bodrum u gjet një kasafortë ku ishin të fshehura:
49 telefona iPhone 16 Pro Max, 1 iPhone 16 Pro, 12 iPhone 15 Pro, 9 Samsung A36 5G, 6 Samsung A56, 2 Samsung A26
Të gjitha pajisjet ishin pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre dhe dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme në treg e këtyre telefonave arrin rreth 64,340 euro.
Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallin dhe ka iniciuar procedurat hetimore për kundërvajtje ose vepër penale, në varësi të rezultateve të mëtejshme të hetimit.
Dogana falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajon të vazhdojnë të raportojnë rastet e dyshimta përmes linjave të hapura, duke kontribuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.