Të dhënat e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent tregojnë se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti në vend është intervenuar në 2 mijë raste të zjarreve. Kreu i kësaj agjencie, Genc Metaj, i ka thënë Radio Kosovës se zjarret kanë filluar të shtohen me rritjen e temperaturave dhe zjarrvënieve të shkaktuara nga djegiet e hamulloreve. Sipas tij, rajonet më të prekura janë Peja dhe malet e Sharrit.

“Kur përhapen vatrat e zjarreve malore, intervenimi është i vështirë për shkak që mungojnë rrugë, është e pamundur që të shkohet me autobote apo kamionë të zjarrfikësit, kështu që nuk kanë zjarrfikësit kah të lëvizin dhe t’i shuajnë zjarret, e kur temperaturat janë më të larta vështirohet kapaciteti human, por edhe teknik”, tha ai.

Kryeqyteti gjithashtu, përbën nivelin më të lartë të intervenimeve në zonat urbane, ku në gjashtë muajt e fundit ka pasur të paktën 1 mijë e 110 intervenime.

Komandanti i Brigadës e Zjarrfikësve e Prishtinës, Malë Gashi, i ka thënë Radio Kosovës se po ballafaqohen me një numër gjithnjë në rritje të zjarreve.

“Jemi duke u ballafaquar me një numër të madh të intervenimeve sidomos në zjarre fushore malore. Një veçanti në këtë vit është se vetëm në qershor i kemi pas rreth 310 intervenime në komunën e Prishtinës, ndërsa vetëm vikendin e kaluar i kemi pas mbi 30 intervenime, dhe këto zjarre llojet e zjarreve, numri më i madh i tyre ndodhin në vikende”, pohoi Gashi.

Zyrtarët e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent thonë se në bashkëpunim me policinë kanë rritur gatishmërinë në nivel vendi, por ankohen gjithashtu për mungesë të pajisjeve të duhura,sidomos helikopterëve për shuarje të zjarreve në zonat e thella malore. Megjithatë sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, vitin e kaluar ë Kosovë ishin regjistruar vetëm 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre.