Pas takimit Peci u shpreh se presin që para datës 26 korrik partitë tjera politike të reflektojnë dhe të gjejnë një konsensus për konstituimin e Kuvendit.

Peci tha se emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare nuk është problem, derisa la të nënkuptohej se do të vazhdojnë të propozojnë atë për kryekuvendare.

“Presidentja shprehi vullnetin dhe gatishmërinë që të kontribuojë nga pozicioni që ajo ka për të zhbllokuar gjendjen në të cilën jemi. Ne duam të besojmë që në ditët në vijim para datës 26 korrik partitë tjera opozitare do të kenë mundësinë e reflektimit dhe gjetjes së një konsensusi. I bëj apel partive politike që t’i thërrasin arsyes dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhë në rast se legjislatura e nëntë nuk konstituohet as brenda afatit prej 30 ditësh, ai shtoi: “E vërteta është se tani të gjithë jemi bçërë ‘ekspertë‘ të interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka paqartësi se cili do të jetë veprimi dhe nuk është lehtë i parashikueshëm se cilat do të jenë konsekuencat në një rrethanë të tillë. Ekziston mundësia reale që edhe presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të qartësuar tutje se çfarë ka dashur të thotë Kushtetuesja kur ka vendosur afatin prej 30 ditësh”.