502 eurodeputetë u shprehën në favor të progresraportit të përgatitur nga raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, 120 votuan kundër dokumentit të europarlamentarit austriak, ndërsa 64 abstenuan. Raporti bën thirrje për forcimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe lirinë e medies, dhe për adresimin e polarizimit politik.

Në një postim në rrjet social “X” pas votimit, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e konsideroi raportin si “një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Ajo tha se raporti konfirmon mbështetjen që gëzon procesi i zgjerimit në Parlamentin Europian.

“Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë. Ne riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur për të vazhduar me ritëm edhe më të shpejtë reformat e nevojshme për anëtarësim dhe për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Bashkimit Europian dhe e konsiderojmë raportin një mesazh politik të rëndësishëm, i cili përkon tërësisht me mesazhin e qartë që qytetarët shqiptarë dhanë me votën e tyre në zgjedhjet e 11 majit, për të ecur me vendosmëri në rrugën e integrimit europian”, shkruan Spiropali.