Qeveria në detyrë ka ndarë 580 mijë euro për ndërtimin e një shkolle të muzikës dhe muzeut në Preshevë.
“Mbledhjen e kaluar ndamë mbi 626 mijë euro për mbështetjen në arsim dhe lobim institucional atje. Këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe sot me ndarjen e 580 mijë eurove. Mbështetja do të vijojë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndër të tjera, u miratua lidhja e marrëveshjes së grantit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për përgatitjen e projektit “Programi – Nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurinë e ujit, faza 2”.
Kabineti qeveritar votoi pro për ndarjen e mbi 700 mijë euro për Ministrinë e Kulturës për mbulimin e obligimeve sipas “Memorandumit të Mirëkuptimit mes MKRS-së, Federatës së Volejbollit dhe Komitetit Olimpik”.
Kurti ndër të tjera, u ka shprehur ngushëllime edhe familjarëve dhe kolegëve të komandantit të Togut të Zjarrfikësve në Gjakovë, Kaçun Lima.
“Do të kujtohet gjithmonë për vetmohimin në çdo ditë të punës, përkushtimin e lartë ndaj detyrave dhe përgjegjësive, si dhe shembullin për të tjerët si udhëheqës i togut”, tha ai.