Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë sot feston 105-vjetorin e themelimit të saj.

 

10 korriku i vitit 1920 çeli një kapitull të rëndësishëm e të përjetshëm në historinë e librave, periodikëve dhe trashëgimisë kulturore të vendit, përmes themelimit të institucionit më të rëndësishëm kulturor në vend, Bibliotekës Kombëtare (BKSH).

Grumbullimi i fondit të kësaj biblioteke nisi me dhurimet e mandej përmes përpjekjeve të vazhdueshme të intelektualëve të kohës për ta pasuruar koleksionin e saj. Sot Biblioteka Kombëtare ruan një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh, inkunabulash të rralla, rreth 2900 antikuarë, hartash dhe kopjesh për çdo botim në Republikën e Shqipërisë.

Institucioni i BKSH, fton në këtë ditë të kujtojmë e reflektojmë mbi vlerat e pakrahasueshme të librit, leximit, studimit e mbi të gjitha, njohjes së historisë së kulturës sonë shkrimore.

Gjithashtu Biblioteka Kombëtare bën të ditur se do të zhvillohen një sërë aktivitetesh në vijim të këtij përvjetori të rëndësishëm.