Pas një ndërprerjeje teknike që përfshiu sistemin e Policisë së Maqedonisë së Veriut në gjithë territorin e saj, autoritetet kanë konfirmuar se gjendja është kthyer në normalitet dhe qarkullimi në të gjitha pikat kufitare është normalizuar.

 

Rreth orës 17:00, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) kishte njoftuar për pezullimin e përkohshëm të hyrjes së automjeteve në territorin e Maqedonisë së Veriut, si pasojë e rënies së sistemit të policisë në këtë shtet fqinj. Kjo situatë kishte shkaktuar kolona të gjata dhe kontrolle të dyfishta në kufi.

Por, sipas informacioneve të fundit të konfirmuara nga ndihmësministri për komunikim me opinionin dhe çështje strategjike në Maqedoninë e Veriut, Muhamet Ismaili, ndërprerja kishte zgjatur rreth një orë e 30 minuta dhe më pas çështja teknike ishte rregulluar plotësisht.

“Rënia e sistemit të policisë në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Më pas çështja teknike është rregulluar. Kështu që edhe qarkullimi nëpër të gjitha pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut është normalizuar”, ka deklaruar Ismaili për RTK-në.

Edhe QKMK ka dalë me një njoftim të ri për të konfirmuar rikthimin në funksion të sistemit dhe kthimin e gjendjes në normalitet.

“Të nderuar, ju informojmë se ka filluar të funksionojë sistemi i palës maqedonase dhe gjendja është kthyer në normalitet”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj qendre që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Bie sistemi i policisë në Maqedoni të Veriut, krijohen kolona të gjata

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës para pak minutash ka dalë me njoftim që ka të bëjë me rënien e sistemit të Policisë në Maqedoninë e Veriut, për çka thonë se është pezulluar përkohësisht hyrja në territorin e këtij shteti fqinj, e si pasojë janë krijuar kolona të gjata.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka thënë se do t’i mbajnë qytetarët e informuar lidhur me zhvillimet e mëtejme të kësaj situate të krijuar pas rënies së sistemit të policisë në Maqedoninë e veriut.

“Ju njoftojmë se sot është raportuar rënia e sistemit të Policisë së Maqedonisë së Veriut në gjithë territorin e saj. Si pasojë e kësaj ndërprerjeje teknike, autoritetet maqedonase kanë pezulluar përkohësisht hyrjen e automjeteve në territorin e RMV-së. Tani kanë filluar mekanikisht regjistrimin dhe deri sa të kthehet sistemi kufitar i MKDV- së është kthyer kontrolli i dyfishtë! Ka kolona të gjata në territorin e RMV-së. Do t’u mbajmë të informuar në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë situatë”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre që funksionon në kuadër të MPB-së.