Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas një vlerësimi pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).
Në njoftimin zyrtar të AKA-së thuhet se “Presidenti i EQAR-it, z. Stéphane Lauwick, i ka dërguar letër Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, z. Naim Gashi, ku konfirmohet se aplikimi është aprovuar dhe përfshirja do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2029”.
“Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj, në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”, citohet në letrën e EQAR.
Sipas AKA-së, ky pranim garanton që diplomat e studentëve kosovarë do të njihen ndërkombëtarisht dhe konsiderohen të barasvlershme me ato të BE-së. Po ashtu, institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë u hapet rruga drejt fondeve, partneriteteve dhe programeve të Bashkimit Evropian.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, ka deklaruar se “Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin anëtarësimin në EQAR” dhe e ka quajtur këtë “një sukses nacional dhe një arritje kolosale për studentët dhe të diplomuarit kosovarë”.
Ndërsa drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka theksuar se ky është rezultat i një procesi të gjatë: “Në vitin 2020 hartuam planin për përmbushjen e 14 standardeve. Pas aplikimit në dhjetor 2023, më 1 korrik 2024, pesë ekspertë ndërkombëtarë vizituan Kosovën dhe dhanë vlerësim pozitiv”.
Mes tjerash, AKA falënderon të gjithë akterët që kontribuuan në këtë proces, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, donatorët dhe agjencitë homologe nga Kroacia, Austria dhe Gjermania.