Në konferencën e përbashkët për media me përfaqësuesit e tjerë, Bajrami ka thënë se gjykata ka shkelur parimin e barazisë së palëve.

“Këtu s’i kemi tre palët, palën e akuzuar, mbrojtëse dhe trupin gjykues. Shpesh herë s’ka ndonjë diferencë në mes trupit gjykues dhe prokurorisë. Haptazi trupi gjykues ka anuar nga prokuroria, duke e plotësuar atë dhe duke shkelur parimin e barazisë së palëve”, ka thënë profesori.

“Gjykata Speciale, përmes Serbisë, është derivat i raportit të rreme të Dick Marty dhe kjo është botërisht e njohur… Kjo gjykatë ka pranuar se po bashkëpunon me Serbinë, me Prokurorinë Speciale, shërbimet sekrete. Është falënderuar për faktin që Serbia po dërgon dosje atje”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka thënë pavarësisht formimit nga vet Republika e Kosovës, kjo gjykatë diskriminon shtetësinë, pavarësisht bashkëpunimit, sipas tij, shembullor të Kosovës.
“Kosova është shembull i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Nëse shihni historinë e luftërave në ish-Jugosllavi, nuk do ta gjeni ndonjë shembull më të mirë sesa Kosova me tribunalin ndërkombëtarë. Të gjithë shtetasit që janë gjykuar nga kjo gjykatë janë dorëzuar vullnetarisht, janë treguar patriotë sepse kanë mbrojtur shtetin e vet. Në vend të kësaj, ata po trajtohen në mënyrë diskriminuese duke mos u siguruar kushtetet e nevojshme për ta”, ka thënë Bajrami.

Më tej Bajrami ka thënë se kjo gjykatë ka zhvilluar proces të padrejtë dhe tendencioz.

“Sado që na thuhet që atje po gjykohen individët, në fakt po gjykohet historia e Kosovës, e çlirimtarëve, e shtetndërtimit. Ka një tendencë për të inkriminuar jo vetëm luftën e UÇK-së, por edhe shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Sot është dënuar me 13 vjet burgim ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Kështu atij iu zbrit dënimi, teksa më 16 korrik ishte dënuar me 18 vjet burg, si pasojë e aktakuzës me krime lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.