Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje të ndodhura në 24 orët e fundit në komuna të ndryshme të vendit, për të cilat janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore ndaj të dyshuarve.
Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se më 14 korrik, rreth orës 23:55 në Istog, një person është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar një të afërm me një mjet të mprehtë. Viktima, mashkull kosovar, ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërsa më 15 korrik, rreth orës 16:00 në Pejë, dy persona, një mashkull dhe një femër janë arrestuar pas një përleshjeje mes vete. Në incident janë përfshirë edhe dy viktima të tjera, një mashkull dhe një femër, të cilët kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha palët kanë marr ndihmë mjekësore. Pas intervistimit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Edhe në Rahovec, më 15 korrik rreth orës 14:00, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje. Një grua ka deklaruar se është sulmuar nga një mashkull, i cili është i dyshuari kryesor në rast. Viktima ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas policisë, rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
Rasti i katërt është raportuar në Malishevë më 15 korrik rreth orës 17:00, ku një grua është sulmuar nga dy meshkuj kosovarë. Pas trajtimit mjekësor të viktimës, të dy të dyshuarit janë arrestuar. Ata janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit, me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për parandalimin e dhunës në familje dhe inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo rast të tillë.