Ka përfunduar bastisja në Arkivin Shtetëror dhe Agjencinë Kadastrale të Republikës së Kosovës, e zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës.
Raportohet se katër persona janë arrestuar nga Policia, pas bastisjeve në agjencitë e Arkivave dhe atë Kadastrale. Dyshimet mbi të cilat janë kryer bastisjet kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Bastisjet përveç Prishtinës janë duke u kryer edhe në Ferizaj dhe Shtime. Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar të tjerë.
Keqpërdormi i detyrës zyrtare, bastisen dy agjenci shtetërore në tri komuna
Në mëngjesin e sotëm Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka nisur bastisjet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave. Aksioni po zhvillohet në tië komuna, Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Aksionin e ka konfirmuar për mediat Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata, ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivës dhe atë kadastral të Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhët në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se operacioni policor përfshin Prishtinën, Ferizajn dhe Shtimen.
“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë policia.