Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, dorëzuan në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale

 

Pas dorëzimit dy deputetët e LDK-së, kanë thënë se ky veprim është një hap drejt kërkimit të përgjegjësisë institucionale për dështimet dhe shkeljet e mundshme në këtë proces.

Deputeti Mustafa, ka theksuar se vendimi i Gjykatës konfirmon që kryeministri në detyrë dhe disa ministra kanë vepruar jashtëligjshëm pasi janë certifikuar si deputetë më 27 mars.

“Gjykata Supreme ka nxjerr një aktgjykim ku konfirmon atë që ka thënë LDK tash e disa muaj. Këtë aktgjykim e kemi bashkangjitur në dosjen tonë, ku kemi dorëzuar në muajin maj 17 kallëzime penale për ish- kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij, ku në mars janë certifikuar si deputetë të Kuvendit. Aktgjykimi i djeshëm e ka konfirmuar të njëjtën gjë, ku një deputet i certifikuar nuk mund njëkohësisht të ushtrojë detyrën në ekzekutiv dhe të jetë kryeministër në detyrë. Nga 27 marsi deri më sot kanë zaptuar qeverinë, kryeministrinë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtë – kushtetuese si kryeministër në detyrë, ku në fakt janë deputetë të certifikuar si gjithë 120 deputetët e tjerë në Kuvendin e Kosovës. Kjo i bie që nga 27 marsi mund secili deputet të shkojë në ministri dhe të ulet në kolltukun e ministrit dhe të nxjerrë vendime dhe të shfrytëzojë buxhetin e shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, deputeti Zogaj, ka deklaruar se çdo vendim qeveritar pas certifikimit të zgjedhjeve është i paligjshëm, duke kërkuar që Prokuroria Speciale të veprojë dhe të marrë masa.

“Qëndrimi i kryeministrit në detyrë dhe ministrave të tjerë në detyrë është i jashtëligjshëm. Prokuroria duhet të veprojë dhe kjo duhet të jetë sinjal që të zhbllokohet situata. Kemi dorëzuar kallëzime penale për të gjithë ministrat që mbajnë dy pozita”, ka thënë Zogaj.

E në një postim në Facebook, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kanë dorëzuar 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale për “ata që janë sjellë njëkohësisht si ministra dhe deputetë”.

Abdixhiku ka theksuar se pas vendimit të Supremes, presin reagimin e Prokurorisë.

Gjykata Supreme shfuqizoi si të paligjshëm një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati.

Ky udhëzim, që lidhej me shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve përkatës, ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill, një ditë pas miratimit nga Murati, i cili tashmë kishte marrë mandatin si deputet pas zgjedhjeve të shkurtit.