Sipas njoftimit zyrtar, ndaj të pandehurit është marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Hetimet paraprake tregojnë se R.M., gjatë periudhës 6 korrik – 15 korrik 2025, ka hyrë me forcë në të paktën njëmbëdhjetë (11) shtëpi në qytetin dhe fshatrat e Komunës së Gjakovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë.

Në nëntë (9) raste, ai dyshohet se ka marrë sende me vlerë duke shkaktuar dëme materiale, ndërsa në dy (2) raste të tjera veprimet e tij kanë mbetur në tentativë.

Prokuroria ka ngritur dyshime të bazuara se i pandehuri ka kryer veprat penale: Vjedhje e rëndë (neni 315, par. 1, nënpar. 1.1 të KPRK-së),  Vjedhje e mbetur në tentativë (neni 313, par.1 në lidhje me nenin 28),  Vjedhje e rëndë e mbetur në tentativë (neni 315, par.1, nënpar. 1.1 në lidhje me nenin 28 të KPRK-së).

I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh që nga data 16 korrik 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë thekson se do të vazhdojë angazhimin e saj në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e sundimit të ligjit, duke ndjekur penalisht të gjithë ata që bien ndesh me ligjin.