Katër ekipet e mbrojtjes së ish-krerërve të UÇK-së e njoftuan trupin gjykues për qëndrimet e tyre më 16 korrik 2025.

Në parashtrimin e mbrojtjes së Thaçit, thuhet se ‘në përputhje me Urdhrin e Panelit Gjyqësor dhe në pajtim me Rregullën 119 (1) të Rregullave, Mbrojtja për z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) njofton për qëllimin e saj për të paraqitur një çështje të Mbrojtjes”. Ngjashëm ka vepruar edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Kurse, në parashtrimin e tyre, mbrojtja e Kadri Veselit dhe ajo e Rexhep Selimi kanë thënë se kanë hequr dorë nga kjo e drejtë e tyre.

“Mbrojtja njofton këtu Panelin dhe Prokurorinë se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes, dhe se z. Veseli nuk ka ndërmend të japë dëshmi në mbrojtjen e tij…Prandaj, në përputhje me Rregullën 119 (1) dhe urdhrin e Panelit Gjyqësor, Mbrojtja për z. Selimi njofton se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në dy parashtrimet të dorëzuar ndaras nga mbrojtja e Selimit dhe e Veselit.

Trupi gjykues në këtë çështje dje ka marrë vendim për të rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa fakteve materiale që kanë të bëjnë me akuzat në aktakuzë që lidhen me ngjarje që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, ka thënë kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.