Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti sot në takim ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional, me fokus të veçantë në përmirësimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rajonin e Mitrovicës.
“Të dyja palët vlerësuan lart nivelin aktual të bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit dhe forcimit të këtij partneriteti në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale”, thuhet në njoftim .
Tutje theksohet se Hoxha dhe Kelmendi u zotuan për intensifikimin e veprimeve të përbashkëta me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në takim mori pjesë edhe u.d. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha.