Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas dështimit të 49-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për “barrikadim politik”.
“Deri më tani kemi parë barrikadim, qe gjashtë muaj nuk flitet për nevojat e qytetarëve, deputetëve u pamundësohet ushtrimi i funksioneve të tyre. Nuk flasim për 200 mijë pensionistë, për 140 mijë punëtorë të sektorit privat, mijëra punëtorë të sistemit shëndetësor e arsimor, por për ambiciet e Haxhiut dhe egon e deputetit Kurti,” ka thënë ajo.
Ajo ka akuzuar Avni Deharin për shkeljen e rendit të ditës dhe të Kushtetutës në seancat e Kuvendit të Kosovës.
“Kjo s’është pakujdesi as padituri, por përpjekje e qëllimshme për të përmbysur rendin kushtetues dhe demokratik të Kuvendit të Kosovës,” ka thënë ajo.
Për herë të 49-të, sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga 90 deputetë të pranishëm në sallë, për votuan 50 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.