Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe”, pas ndalimit nga Policia e Kosovës mbrëmë në Bërnjak dhe pas intervistimit në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Veri, është ndaluar për 48-orë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ndërkohë në raportin 24 orësh, policia ka njoftuar se nën dyshimin që ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, Popoviq është arrestuar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe se në cilësi të provave i janë sekuestruar dy telefona dhe më pas është dërguar në mbajtje.
“NXITJA E PËRÇARJES DHE MOS DURIMIT Fsh. Hoqë e Madhe, Rahovec 18.07.2025 – 12:00. Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur. Nga i dyshuar në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht 2 telefona celularë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vlerësuar se prania e Popoviqit në Kosovë përbën tentativë për provokim dhe përhapje të propagandës antikombëtare.
Ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se deklarimet si të Popoviqit janë “model millosheviqian” që mbahen ende gjallë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
“Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, ka theksuar ministri në detyrë.