Numri i kandidatëve për studentë në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë, sidomos në ato publike, viteve të fundit ka shënuar rënie. Njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë së rënia e natalitetit, largimi i të rinjve nga Kosova dhe numri i madh i institucioneve publike dhe private në vend, ka ndikuar në rënien e numrit të studentëve në universitetet publike.
Interesimi për universitetet publike në Kosovë ka rënë ndër vite, për shkak të disa faktorëve. Njohësja e fushës së Arsimit, Bardha Qollaku, i tha Radio Kosovës së sipas statistikave, numri i studentëve në universitetet publike dhe ato private është pothuajse i njëjtë. Tutje, ajo tha se interesimi i të rinjve për t’u regjistruar në institucionet private është edhe çështja e kritereve më të lehta.
“Statistikat që i marrim nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë një pjesëmarrje gati të barabartë të prezencës së studenteve në universitet publike me ato private. Kemi diku 43 deri në 47 për qind të prezencës së studenteve në universitetet private në krahasim me ato publike. Ajo që vlen të thuhet është se viteve të fundit kemi një rënie të përgjithshme të studentëve në të gjitha universitetet. Arsyeja pse studentët zgjedhin universitet private është se në universitetet publike ka provime pranuese dhe studentët e kanë vështirë të pranohen në disa fusha specifike për shkak të kritereve të provimeve pranuese. Ndërsa, në universitetet private nuk aplikohen në shumicën e rasteve kriteret për pranim siç është, nota mesatare apo rezultati i Maturës Shtetërore”, tha Qollaku
Drejtori i organizatës që merret më vlerësimin e arsimit në Kosovë “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, i tha Radio Kosovës se rënia e natalitetit dhe numri i madh i institucioneve të larta arsimore publike dhe private, po ndikon që tash në universitet publike të kenë me pak studentë.
“ Viteve të fundit kemi më pak fëmijë të regjistruar edhe në shkollat fillore e kjo sigurisht po ndikon që edhe në universitete të kemi më pak studentë. Dhe faktori i dytë që është shumë i rëndësishëm është fakti që kemi shumë fakultete publike dhe kolegje private nëpër Kosovë. Unë mendoj që universitetet dhe shkollat nuk duhet të jenë profitabile, sepse po regjistrojnë nxënës të cilët nuk po arrijnë të regjistrohen në universitet publike. Unë mendoj që edhe për sa u përket universiteteve publik dhe atyre private, e kemi tejkaluar numrin”, tha Gashi.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, i tha Radio Kosovës se kjo agjenci ka rritur standardet dhe se shumë institucione të arsimit të lartë privat në vend nuk arrijnë të plotësojnë kriteret.
“ Si agjenci kemi ngritur jashtëzakonisht shumë standardet për procesin e akreditimit. Shumë institucione të arsimit të lartë private nuk kanë mundur që të plotësojnë ato standarde. Komisioni Evropian në një raport para dy viteve thotë se numri i institucioneve të arsimit të lartë dhe e kuotave të studentëve është reduktuar nga Agjencia e Akreditimit bazuar në kriteret e cilësisë”, tha Gashi
Edhe profesori universitar, Blerim Rexhaj, ka vlerësuar se për shumë të rinj, programet në Institucionet e Arsimit të Lartë Private janë zgjedhja e parë – andaj edhe institucionet publike duhet t’i rishikojnë programet dhe politikat e tyre dhe të vendosin mekanizma përkatës të ri-kthimit të tregut të humbur të maturantëve.
Sipas Rexhajt në Universitetin e Prishtinës disa programe pati konkurrencë të lartë, në të tjera u plotësua më pak se 30 % e kuotës. Ai thotë se ky është një sinjal i qartë se planifikimi duhet rishikuar dhe se UP-ja dhe MASHTI duhet të balancojnë kërkesat e stafit akademik me realitetin e tregut dhe se studentët të mos humbin kohë në një program që nuk u përshtatet dhe tregu i punës të marrë të diplomuarit më të përgatitur në fushën e duhur. Ai e sheh të rëndësishëm edhe orientimin e hershëm në karrierë dhe lobimin për universitet publike.
Në vitin 2025 Testit Shtetëror të Maturës i janë nënshtruar 18.130 maturantë.