Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur një tjetër seancë për rastin “Banjska”, ku tre të akuzuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit u përballën me dëshminë e një dëshmitari anonim, përmes videolidhjes. Seanca u mbyll për publikun, pas vendimit të trupit gjykues për ta mbrojtur identitetin e dëshmitarit.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, u paraqitën të hënën në gjykatore. Kësaj radhe për të dëgjuar dëshminë e një dëshmitari anonim.
Ky i fundit nuk erdhi në sallën e gjyqit, por dëshminë e tij u tha se e jep përmes videolidhjes. Megjithatë, edhe kjo formë e dhënies së dëshmisë, prokurori special Naim Abazi propozoi që të bëhet pa praninë e publikut e mediave.
Sipas Abazit, gjatë përgjigjeve të dëshmitarit F1 mund ekzistojë rrezik që të mund të zbulohet ndonjë detaj që do të çonte në identifikimin e tij.
“Çdo ekspozim që lidhet me identitetin e tij përpara publikut, përbën rrezik real për sigurinë e tij personale dhe mund ta dëmtojë rrjedhën e procedurës penale”, tha Abazi.
Por këtë propozim të prokurorit special e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarve.
“Meqenëse ekziston mundësia teknike për ndryshimin e fotografisë dhe zërit, unë e kundërshtoj propozimin e prokurorit special”, theksoi Ljubmir Pantoviq– mbrojtësi i Spasojeviqit.
Edhe avokati i Toliqit, Millosh Deleviq e kundërshtoi propozimin për përjashtmin e publikut nga seanca.
Nga ana tjetër, Naim Rudari, avokati i policit të dëmtuar Alban Rashiti, e mbështeti propozimin e prokurorit për mbylljen e seancës, me arsyetimin se mund të zbulohet identiteti i dëshmitarit.
“Konsideroj se i njëjti, përveë atyre që i di dhe i ka parë, duhet të dëshmojë edhe nga i ka kuptuar ato, dhe padyshim do zbulohet identiteti i tij nëse seancat janë publike”, theksoi ai.
Pas një pauze disaminutëshe për konsultime, gjyqtari Arben Hoti aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale, duke e mbyllur seancën për publikun dhe mediat.
“Aprovohet propozimi i Prokurorisë që me rastin e dëgjimit të dëshmitarit F1 të përjashtohej publiku, mediat, pasi masat e ndryshimit të fotografisë dhe zërit nuk janë të mjaftueshme”m tha Hoti.
Seanca e kaluar në rastin Banjska kishte dështuar në mungesë të dëshmitarit tjetër anonim, A2.