“Sot, dy punëtorë humbën jetën tragjikisht duke rënë nga kati i 13-të gjatë kryerjes së punës së tyre. Dhembja është këtu. Është në zemrat e familjeve që sot mbetën pa më të dashurit e tyre. Është te çdo punëtor që del për të fituar me djersë kafshatën e gojës. Është edhe me ne, me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, e fillon reagimin e tij, kryetar i BSPK-së, Atdhe Hykolli.

Sipas tij, dhembja është e thellë, e rëndë dhe e hidhur, po nuk i kthen jetët.

“Ne si BSPK kemi ngritur zërin për vite me radhë për kushte më të sigurta pune, për dinjitet në vendin e punës dhe për ndaljen e abuzimit me djersën dhe jetën e punëtorëve. Kemi paralajmëruar për mungesën e kontrolleve efektive, për neglizhencën institucionale dhe për mungesën e përgjegjësisë nga ata që përfitojnë, por nuk mbrojnë”, thekson ai.

Hykolli ka thënë se fatkeqësisht, askush nuk mund të thotë sot se kjo tragjedi nuk ka qenë e paralajmëruar.

“BSPK ka thirrur vazhdimisht partnerët socialë që t’u dalin krah punëtorëve gjithandej Kosovës. Kemi kërkuar që siguria në punë të mos jetë thjesht një rresht në rregullore, po një detyrim konkret dhe i mbikëqyrur. Kemi kërkuar vazhdimisht që çdo punëtor të kthehet i gjallë në shtëpi, se asnjë projekt, asnjë ndërtim, asnjë përfitim nuk vlen më shumë se jeta njerëzore.  Mekanizmi ynë i vetëm ligjor i organizimit sindikal mbetet kërkesa dhe mbrojtja e kërkesave përmes mjeteve juridike. Ne nuk jemi as gjykatë, as inspektorat, po jemi zëri i atyre që shpesh heshtin nga frika ose nga pamundësia. Prandaj, kërkojmë urgjentisht përkrahjen e institucioneve të Republikës së Kosovës për të fuqizuar kontrollin, ndëshkimin dhe parandalimin”, thuhet në reagim.

Ai ka kërkuar që çdo anëtar i sindikatës, çdo qytetar dhe çdo punëtor të bashkohet në këtë thirrje.

“Dhembja nuk na kthen jetët, po veprimi ynë mund të shpëtojë të tjera”, ka thënë Hykolli