Shkruan: Prof. Dr. Fadil MALOKU, sociolog
1. Që prej përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, diskursi mbi statusin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e pazgjidhur dhe mjaft e ndjeshme. Një nga format më të dukshme të kësaj paqartësie është përdorimi i termit “kufi administrativ” nga aktorët ndërkombëtarë, e sidomos nga misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë – KFOR-i. Ky term, që përshkruan vijën ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është as neutral në përmbajtje, e as i padëmshëm në pasoja. Përkundrazi, ai përfaqëson një simbolikë të fortë politike dhe juridike që rrezikon të minojë sovranitetin e shpallur të Kosovës dhe të legjitimojë pretendimet territoriale të Serbisë.
2. Kuptimi dhe natyra e “kufirit administrativ”
Në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe të administrimit shtetëror, termi “kufi administrativ” i referohet zakonisht një vije ndarëse brenda një shteti, e cila shërben për të përcaktuar juridiksione administrative të brendshme. Pra, ai nuk përfaqëson një ndarje ndërmjet dy shteteve sovrane, por një vijë menaxhimi territorial brenda të njëjtit shtet. Në kontekstin e Kosovës, përdorimi i këtij termi është problematik, sepse e mohon faktin që Republika e Kosovës është një entitet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht nga mbi 117 shtete. Ajo që e bën këtë çështje edhe më shqetësuese është se përdorimi i termit “kufi administrativ” i hap rrugë Serbisë për të ruajtur alibi politike, madje edhe ushtarake, për ndërhyrje të mundshme në territorin e Kosovës. Meqë ky kufi nuk njihet si ndërkombëtar nga shumë aktorë ndërkombëtarë, Serbia mund të pretendojë, të paktën në mënyrë formale, se ndërhyn brenda juridiksionit të saj “të brendshëm”, duke e shfrytëzuar këtë paqartësi si një pretekst të legalizuar.
3. Neutraliteti ndërkombëtar dhe mandati i KFOR-it
KFOR-i dhe UNMIK-u, si misione ndërkombëtare me mandate neutrale ndaj statusit të Kosovës, janë të detyruar të përdorin një gjuhë të tillë që nuk nënkupton njohje të drejtpërdrejtë të sovranitetit të Kosovës. Në këtë kuptim, termi “kufi administrativ” është një kompromis diplomatik që reflekton pozicionin zyrtar të tyre për të mos e paragjykuar rezultatin përfundimtar të statusit politik. Përdorimi i këtij termi është në funksion të ruajtjes së neutralitetit të mandatuar nga OKB-ja, por në të njëjtën kohë, ky neutralitet ushqen pasigurinë dhe pengon konsolidimin e sovranitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo qasje, ndonëse juridikisht e kuptueshme nga këndvështrimi i një misioni paqeruajtës, politikisht është e dëmshme, sepse mban të hapur një konflikt të ftohtë territorial, në vend që ta ndihmojë Kosovën në ndërtimin e një shteti funksional dhe të njohur plotësisht.
4. Sovraniteti i Kosovës dhe kundërshtimi i diskursit administrativ
Në të kundërt, për institucionet e Republikës së Kosovës, vija kufitare me Serbinë përfaqëson kufirin shtetëror të një shteti të pavarur dhe sovran. Prandaj, çdo referencë ndaj kësaj vije si “kufi administrativ” jo vetëm që është e papranueshme, por shihet si një akt delegjitimues dhe poshtërues për shtetësinë e Kosovës. Më shumë se kaq, vazhdimi i përdorimit të kësaj terminologjie nga brenda institucioneve të Kosovës ose nga disa qarqe të paqarta politike, përbën një rrezik real të vetë-nënvlerësimit institucional dhe juridik. Përpjekjet për të shtrirë sovranitetin shtetëror në veri të Kosovës nuk janë vetëm veprime administrative, por një akt patriotik dhe juridik që synon të mbyllë një kapitull të gjatë të paqartësisë territoriale. Kosova, në këtë drejtim, nuk duhet të lejojë që kufijtë e saj shtetërorë të trajtohen si çështje teknike, por si çështje thelbësore të ekzistencës dhe identitetit të saj politik.
5. Pasojat politike dhe juridike të dualizmit terminologjik
Përdorimi paralel i termit “kufi administrativ” nga aktorët ndërkombëtarë dhe i termit “kufi shtetëror” nga autoritetet e Kosovës përbën një dualizëm diskursiv dhe juridik me pasoja të thella politike. Kjo gjendje e paqartë ndikon në çdo aspekt të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë — nga kontrolli i territorit dhe siguria kufitare, deri tek legjitimiteti ndërkombëtar dhe procesi i njohjes reciproke. Ky dualizëm, në vend që të kontribuojë në normalizim, e përjetëson gjendjen e përkohshme dhe e ngulfat perspektivën për një marrëdhënie të qartë ndërshtetërore. Prania e Serbisë në jetën politike të Kosovës përmes strukturave të tilla si “Lista Serbe”, është rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj paqartësie që u lejua të zhvillohet në vitet e pasluftës. Gabimet e së kaluarës, përfshirë lehtësimin e kësaj prezence, janë tani jashtëzakonisht të vështira për t’u korrigjuar.
6. Termi që po e vret shtetësinë; Ose si na robëroi fjala “administrativ’”?
Si përfundim, nuk mund të thuhet se termi “kufi administrativ” është thjesht një formë e padëmshme e diskursit diplomatik. Ai është, në thelb, një mjet i fshehtë i relativizimit të sovranitetit të Kosovës, i cili për hir të një neutraliteti të tejzgjatur, rrezikon të ruajë një gjendje të përhershme paqëndrueshmërie në rajon. Derisa të ndodhë një njohje reciproke dhe të vendoset një kornizë e qartë ndërshtetërore, termi “kufi administrativ” do të vazhdojë të funksionojë si një formë e ndërmjetme e diplomacisë ndërkombëtare që ruan balancën, por jo domosdoshmërisht drejtësinë, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
7. Rekomandimet për Qeverinë, institucionet dhe mekanizmat tjerë shtetëror të Kosovës;
a) Fillimi i zëvendësimit gradual të termit “kufi ndërkombëtar” si në në komunikimin e brendshëm ashtu edhe ate ndërkombëtar;
b) Insistimi publik (përmes aprovimit të një Rezolute në Parlament) që në Institucionet e Kosovës, në komunikatat zyrtare dhe përfaqësimet ndërkombëtare, të nus përdorimi ekskluzivisht i termit “kufi shtetëror” ose “kufi ndërkombëtar me Serbinë”;
c) Ushtrimi i ca kërkesave zyrtare ndaj KFOR-it/OKB-së për rishqyrtim të terminologjisë dhe gjetjen e një termi fillimisht të pranueshëm për gjitha palët (Qeverinë OKB-n, dhe KFOR-in, me një qëllim të vetëm; Harmonizimin e diskursit ndërkombëtar me realitetin kushtetues të Kosovës.
ç) Integrimi i terminologjisë në marrëveshjet e ardhshme finale Kosovë–Serbi. Ku në një marrëveshje të ardhshme gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, të përfshihet edhe njohja e kufijve aktualë si shtetërorë;
d) Thellimi i sovranitetit përmes kontrollit doganor, policor dhe atij diplomatik, Kosova mund të konsolidojë funksionalisht kufijtë, edhe nëse termi nuk ndryshohet menjëherë. Model: Rasti i Tajvanit, që ka kufij funksional edhe pse jo të pranuar zyrtarisht nga OKB;
e) Hartimi i një Platforme të përbashkët me vendet njohëse për përdorimin ekskluziv të termit “kufi shtetëror”. Ku Qeveria e Kosovës mund të propozojë një memorandum të koordinuar me SHBA, BE, Mbretërinë e Bashkuar, etj., për të përdorur ekskluzivisht termin “kufi shtetëror” në dokumente dhe deklarata;
f) Nisja e një iniciative në formë fushate akademike mediatike për delegjitimimin dhe dekonspirimin e termit “administrativ”. Bartës mund të jenë stafi akademik, studentët e Universitetet publike, OJQ-ët! Ku do të zhvilloheshin fushata edukative senzibiluese për shpjegime e argumente për kohën e tejkaluar të këtij termi diskriminues e jorealist.