Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe homologu i tij turk, Yaşar Güler, firmosën marrëveshjen në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes IDEF2025, që po mbahet në Stamboll.

Ky protokoll do të mundësojë pajisjen e Forcave të Armatosura shqiptare me sisteme artilerie 105 mm, duke rritur kapacitetet e tyre operacionale.

Ministri Vengu theksoi se bashkëpunimi mbështetet në vendimet e Samitit të NATO-s në Hagë dhe synon të avancojë gatishmërinë e forcave ajrore, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe forcimin e infrastrukturës kritike.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, protokolli përmirëson kuadrin ekzistues të bashkëpunimit dhe zgjeron fushën e mbështetjes përtej asistencës materiale, duke përfshirë trajnime, seminare, logjistikë, transport dhe mbështetje institucionale.

“Ky dokument i ri do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e edukimit profesional të personelit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Ministri Vengu vlerësoi gjatë bisedës mbështetjen e Turqisë në forcimin e aftësive mbrojtëse të Shqipërisë.

Sipas ministrit Vengu, duke u mbështetur në vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Hagë, Shqipëria synon të ndajë burime shtesë për zbatimin e objektivave ushtarake kryesore.

“Në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë, përparësi do t’i jepet gatishmërisë operacionale të forcave ajrore, zhvillimit të industrisë ushtarake dhe infrastrukturës kritike, duke zbatuar një qasje shumëpërdorimëshe dhe shumëqëllimëshe”, tha Vengu.

Temë e veçantë e bisedimeve ishte zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar për ta shndërruar këtë sektor në një pjesë të qëndrueshme dhe konkurruese të industrisë kombëtare. Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë mundësi konkrete për bashkëpunim me kompanitë turke të mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin dhe transferimin e teknologjisë. Prania në IDEF 25 shërben si një platformë reale për të avancuar këto synime”, tha Vengu.