Tri raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut. Lidhur me këto raste u arrestuan tre të dyshuar.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, dy raste u raportuan në Prishtinë, ku në të parin u arrestua një i dyshuar për dhunë psikike e fizike si dhe kanosje ndaj prindërve.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike, fizike dhe kishte kanosur prindërit e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në rastin e dytë në Prishtinë një grua dyshohet se është sulmuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti.
“Është njoftuar policia se një femër është sulmuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti i saj. Pas intervistimit të palëve viktimës i është ofruar urdhër mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim të policisë.
Kurse në Mitrovicë të Veriut u arrestuan dy persona nën dyshimin se ushtruan dhunë dhe kanosën prindin e tyre.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se kanë ushtruar dhunë dhe e kanë kanosur prindin e tyre. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thekson policia.