Ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e tyre dhe të ndjekin këshillat parandaluese për të shmangur pasojat e nxehtësisë ekstreme.
Ministria në apelin e saj ka renditur disa rekomandime të rëndësishme për mbrojtjen nga temperaturat e larta. Ajo ka kërkuar që të qëndrohet larg të nxehtit, veçanërisht në orët më të nxehta të ditës.
Të shmanget ekspozimi direkt në diell nga ora 10:00 deri në 17:00.
Gjithashtu, është kërkuar përdorimi i kremit mbrojtës ndaj diellit për të mbrojtur lëkurën nga rrezatimi UV.
“Pini ujë rregullisht, të paktën një gotë çdo orë dhe 2–3 litra ujë në ditë, dhe vishuni me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura, për të shmangur nxehtësinë e tepërt,” ka rekomanduar Ministria e Shëndetësisë.
Gjithashtu, është kërkuar limitimi i konsumimit të kafesë dhe alkoolit, pasi ato mund të ndikojnë në dehidratim.
“Mbani shtëpinë tuaj të freskët, duke përdorur ventilim apo mjete për ftohje. Kujdes! Nëse ndjeni marramendje, djersitje të tepërt, të vjella, konfuzion apo shenja të tjera shqetësuese, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore më të afërt,” thekson ministria.