Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, pas situatës me zjarre në dhjetëra lokacione gjatë tri ditëve të fundit. Ai ka bërë të ditur se nga 21 vatra zjarri në 12 orët e fundit vetëm 5 prej tyre janë ende aktive.
“Si Ministri e Punëve të Brendshme kemi mbështetur vazhdimisht forcimin e kapaciteteve të Agjencisë, përmes sigurimit të automjeteve të specializuara, pajisjeve operacionale, uniformave dhe rekrutimit të stafit shtesë, që ndihmon në menaxhimin efikas të situatave emergjente. Mbështetja jonë do të vazhdojë, në bashkëpunim të ngushtë me AME-në dhe me të gjitha komunat, në mënyrë që secila palë në përputhje me kompetencat, të kontribuojë në përballimin sa më të mirë të situatave në terren nga ekipet tona zjarrfikëse”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka shprehur mirënjohje për menaxhmentin dhe stafin e zjarrfikësve për intervenimin në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Ritheksoj thirrjen për kujdes të shtuar nga qytetarët si dhe për bashkëpunim me institucionet e sigurisë si në raportimin e menjëhershëm, ashtu edhe në ofrimin e informatave të nevojshme në mënyrë që zjarrvëniet e qëllimshme të mos mbesin pa u ndëshkuar”, ka shkruar Sveçla.