Zyra e Rregullatorit për Energji ka sqaruar për RTK-në se kanë mbajtur takime me operatorë energjetikë për t`i bërë përgatitjet për shkëputje nga furnizimi.

Për shkak të numrit të madh të bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar, shkyçjet mund të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

“Është e rëndësishme të sqarohet se nëse pas përfundimit të afatit të dhënë konsumatori nuk lidh kontratë me një furnizues në tregun e lirë, atëherë FMF, sipas rregullave në fuqi dhe si masë tranzitore, ka të drejtë të ndërpresë furnizimin me energji elektrike, pasi nuk ka bazë ligjore për ta vazhduar furnizimin pa kontratë valide”, kanë thënë nga ZRrE.

Nga rreth 1 mijë e 300 biznese të mëdha sa kanë dalë në tregun e lirë energjetik, nga KESCO vënë në pah se mbi 100 prej tyre tashmë kanë lidhur kontrata për furnizim. Ndërkohë bëhet e ditur se dhjetëra kërkesa për furnizim janë në proces.

Megjithëkëtë, vendimin për daljen në tregun e lirë, edhe më tej po e kundërshton Oda Ekonomike e Kosovës, nga e cila kanë paralajmëruar edhe veprime nga gushti.

Sipas kryetarit të kësaj Ode, Lulzim Rafuna, vendimi është i dëmshëm për bizneset. Me gjithë shqetësimet dhe pakënaqësitë e ngritura, deri më tani nuk kanë pasur ndonjë takim me zyrtarët e ZRRE-së.

Veprime të ashpra nëse nuk tërhiqet vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike kanë paralajmëruar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas tyre, ky vendim rrezikon ekzistencën e shumë bizneseve.

“Nëse ZRRE nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike”, thuhet në reagim.

Në vend janë të licencuara 22 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa tri të tjera janë në proces të licencimit. E bizneset vazhdojnë të këmbëngulin që të shtyhet vendimi për daljen në tregun e lirë deri vitin e ardhshëm.