Shishe plastike të mbushur me substancë narkotike “marihuanë”, qese të tejdukshme e kavanoz qelqi të mbushur po me këtë lloj të substancës narkotike që bashkë peshonin mbi 1 kilogram, i kishin gjetur policia në veturën e shtëpinë e të pandehurit Y.M, në prillin e këtij viti.
Ndaj këtij të pandehuri i cili nga data 16 prill gjendet në masën e paraburgimit, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Sipas aktakuzës, me datë 16.04.2025, rreth orës 22:00min në Suharekë, i pandehuri pa autorizim shpërndanë dhe shet substanca psikotrope të llojit “marihuanë”, me peshë të përgjithshme prej 1kg e 143.00 gram, në atë mënyrë që pas kontrollit në veturën e tij “Opel Astra”, nën karrigen e vozitësit i është gjetur një (1) shishe qelqi me substancë narkotike e llojit “marihuanë” me peshë 0.61 gram dhe një (1) mulli – grinder. Ndërsa, pas bastisjes së zhvilluar në shtëpinë e tij në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, tek i njëjti janë gjetur: Një (1) shishe plastike ngjyrë e gjelbër e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 2.34 gram, një (1) qese e tejdukshme e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 126.26 gram, një (1) kavanoz qelqi e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 27.21gram, një (1) kavanoz qelqi e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 251.34 gram, një (1) kavanoz qelqi e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë”ë me peshë 228.29 gram, një (1) kavanoz qelqi e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 255.63 gram, një (1) kavanoz qelqi e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 251.30 gram, dy (2) qese plastike të mbushura me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 72.72 gram- si dhe qese të shumta plastike për paketim të mariuhanës, një qese e madhe plastike e tejdukshme me mbetje të substancë narkotike të llojit mariuhanë dhe kokainë, një (1) mulli- grinder për bluarje si dhe një (1) peshore digjitale”, thuhet në detajet që ka ndarë Prokuroria Themelore në Prizren për rastin.
Bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.