Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka njoftuar se bizneset anëtare kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Sipas tyre, mënyra se si po zbatohet ky proces është e njëanshme dhe e papërgatitur, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e sektorit privat. “Bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend,” thuhet në njoftimin e Dhomës.
Kërkesa e bizneseve është që ZRRE të marrë vendim sot për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi. Në të kundërtën, ato paralajmërojnë protesta e reagime. “Nëse ZRRE nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike,” thuhet tutje në komunikatë.
Dhoma e Tregtisë thekson se kërkesat për dialog janë shpërfillur vazhdimisht nga ZRRE. “Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda”.
Tutje, Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit në çdo proces që ndikon në funksionimin e tyre.