“Unë kam incizime të Adem Jasharit nga viti 1993 e deri ditën që është vrarë. Unë kam komunikuar gjithmonë me Adem Jasharin, por në prezencë të Lulzim Jasharit. I kemi incizuar bisedat dhe kemi thënë t’i ruajmë. Asnjëherë në jetën time nuk e kam shantazhuar Hashim Thaçin, kam bashkëudhëtuar me të. Para Adem Jasharit, e kam njohur Hashim Thaçin. Adem Jasharin e kam njohur përmes Jakup Nurës dhe kemi vazhduar të bashkëpunojmë e të dalim në aksione bashkë”, ka thënë Lladrovci.

“Mua më ka thirr dy herë Hashim Thaçi në telefon nga Haga. Më ka thirr pas zgjedhjeve të 2021 duke thënë ‘kam qejf të ju shoh bashkë me Sami Lushtakun, s’kam qejf me ju pa keq”, ka thënë ai.

Por, Lladrovci ka thënë se Sami Lushtaku e ka luftuar dhe nuk kanë arritur të bashkëpunojnë.

“Ne kemi pasur takime në nëntor të 2022-ës në Fushë Kosovë, kemi arritur gati të dakordohemi por ai ka thënë ‘eja shkojmë, takohemi një ditë tjetër’. Unë i kam thënë e di që s’po dëshiron ta bësh bashkimin, ti e kërkon bashkimin vetëm kur vijnë zgjedhjet qendrore sepse kërkon vota për Ganen, djalin tënd…Ka filluar prapë të më luftoj. Kur më lufton unë duhet t’i tregoj qytetarëve të mi që zot shtëpie në Drenas jam unë”, ka thënë ai në RTK Prime.

Lladrovci: Qe 2 vjet anëtarët e kryesisë së PDK-së më kanë dëmtuar

Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit ka vendosur t’i hyjë garës me iniciativën qytetare “Për Drenasin Kampion Ramiz Lladrovci”, ka folur në “RTK Prime” për moskandidimin e tij nga ana e PDK-së, duke e quajtur proces të planifikuar.

“Ka 2 vjet që anëtarët e kryesisë së PDK-së më kanë dëmtuar për zhvillimin e Drenasit. I kanë thirr asamblistët e mi duke i thënë mos ja votoni këtë projekt sepse do të vij unë kryetar dhe do t’i bëj unë. E kam paralajmëruar kryetarin Memli Krasniqi, sekretaren e përgjithshme dhe kjo është kuptuar ‘jo nuk ka mundësi të të pengojnë’. Dhe u kap një telefonatë, ku dëshmua se anëtari i kryesisë, Petrit Hajdari, ku provon t’i bind familjarët e asamblistët e mi që të mos më votojnë”, ka thënë ai.

Lladrovci ka thënë se liderët e komunave ku udhëhiqen nga PDK kanë bërë propagandë kundër tij, duke thënë se po bashkëpunon me Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Asnjëherë nga formimi i PDK-së e deri sot, nuk e ka dërguar kryesia propozimin për kryetar komune. Në reformim, anëtarët e kryesisë duhet të kalojnë nëpër procese, Kadri Veseli kur ka hyrë në PDK ka shkuar në zonën e vet dhe ka nisur nga lagjia e vet t’i merr votat dhe u bë kryetar. Kundërkandidati im, Petrit Hajdari, nga 2013 nuk ka marrë pjesë në proces zgjedhor asnjëherë. Kur ka marrë pjesë në kuvend të degës në Drenas, ka kandiduar për këshill të përgjithshëm dhe i ka marrë 17 vota. Pra s’ka arritur as t’i marrë votat për të hyrë në këshill të përgjithshëm dhe është emëruar anëtar kryesie”, ka thënë Lladrovci.