Për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas për qytetarët e Kosovës, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka nënshkruar marrëveshje të partneritetit me organizatën Advocacy Training and Resource Center – ATRC.
Nënshkrimet për këtë partneritet i kanë vendosur dy drejtuesit, Faton Jashari, si ushtrues detyre i ANJF dhe Kushtrim Kaloshi, që drejton organizatën ATRC.
“Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ATRC do të ofrojë ndihmë juridike falas për qytetarët që plotësojnë kriteret ligjore, me fokus të veçantë në gratë, të rinjtë, komunitetet jo-shumicë dhe personat në situata të pafavorshme socio-ekonomike. Shërbimet do të ofrohen nga zyra e ATRC në Prishtinë dhe do të jenë të qasshme në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për këtë partneritet.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjeve po jetësohet Rregullorja për Përcaktimin e Kritereve për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas nga Organizatat Jo Qeveritare në Partneritet me Agjencinë në kuadër të transformimit të sistemit të ndihmës juridike falas.
“Partneriteti me Organizatat Joqeveritare sjell një dimension të ri në misionin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët, jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime juridike profesionale, efikase dhe efektive për qytetarët tonë”, theksohet në njoftim.