“Sipas Nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085) dhe Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF- KEK), shërbimi i FMF-së është i kufizuar në një periudhë maksimale prej 60 ditësh. Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi, dhe në përputhje me Nenin 8 të Rregullës për Ndërrimin e Furnizuesit, vazhdimi i furnizimit me energji elektrike nuk lejohet ligjërisht, dhe për të ruajtur integritetin e sistemit energjetik, është e nevojshme të bëhet shkyçja. Bazuar në këto obligime ligjore të përmendura më lart, KEDS nesër, më 31.07.2025, është i obliguar të shkyçë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që aktualisht nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një Furnizues Aktiv” ka bërë të ditur KEDS-i.

KEDS-i thotë se ky proces është pjesë e reformave për liberalizimin e tregut të energjisë dhe është i përcaktuar nga autoriteti rregullator.

“Ne inkurajojmë bizneset që ende nuk kanë ndërmarrë këtë hap të kontaktojnë sa më parë furnizuesit e licencuar nga ZRRE-ja për të përmbushur obligimet e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

KEDS, thotë se si Operator i Sistemit të Shpërndarjes nuk ka ndonjë kompetencë furnizuese, por ka vetëm rolin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe si kompani e rregulluar është e obliguar t’i zbatojë të gjitha vendimet e ZRRE-së.