Nga sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike kishte planifikuar të nisë me ndërprerjen e energjisë elektrike për bizneset e mëdha që nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim me operatorë privatë. Megjithatë, nga KEDS-i thanë se nuk kanë filluar me shkëputje të energjisë. Kjo pas një aktvendimi të Gjykatës Komerciale të datës 29 korrik.
Një nga kompanitë e mëdha në vend ka paditur ZRRE-në, për çka Komercialja ka dalë me aktvendim për anulimin në tërësi të njoftimit për dalje në treg të hapur.
Pavarësisht saj se ishin bërë përgatitjet që bizneseve të mëdha që nuk kanë lidhur marrëveshje me operatorë privatë t’u ndërpritet energjia elektrike, një gjë e tillë nuk ndodhi të enjten.
Gjykata Komerciale më 29 korrik, pas padisë së një biznesi, nxori aktgjykim për ta anuluar në tërësi njoftimin e ZRRE-së të datës 12.03.2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Nga ZRRE thanë për medie se do të parashtrojnë ankesë për këtë aktvendim.
Ndërkaq, njohës të sistemit të drejtësisë thonë se vendimet e Gjykatës Komerciale janë të detyrueshme për të gjithë, andaj, sipas tyre, mosrespektimi i tyre përbën vepër penale.
Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që dalja në treg të lirë të anulohet për shkak që siç pretendojnë ata, dëmet do të jenë të mëdha.
Nga Dhoma e Tregtisë thonë se bizneseve që kanë lidhur marrëveshje me operatorë privat për furnizim, faturat u kanë ardhur për 100% më të shtrenjta.
Nga KEDS-i deri në orët e pasdites i thanë RTK-së se nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion për shkyçje të bizneseve.