Sindikata e Policisë së Kosovës ka përshëndetur vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv drejt respektimit të drejtësisë, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në reagimin e saj, Sindikata thekson se gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet përkrah ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit, por kujton se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi, sidomos në fazat hetimore, ku ende nuk është vërtetuar përgjegjësia penale.
“Çdo vlerësim i ngutshëm pa përfunduar hetimet rrezikon të dëmtojë integritetin profesional të punonjësve dhe të krijojë pasiguri institucionale,” thuhet në deklaratë.
Sindikata shpreh besimin në sistemin e drejtësisë dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të respektojnë procesin gjyqësor pa paragjykime. Ajo gjithashtu shpreh mirënjohje për angazhimin e mbrojtësve ligjorë dhe mbështetjen e familjeve të zyrtarëve, duke garantuar përkushtimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.