Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, edhe njëherë u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reflektojnë në vendimarrjen e tyre për të alokuar pjesën e dytë të buxhetit te Radiotelevizionit të Kosovës, e miratuar paraprakisht me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
“Si pasojë e mosalokimit të mjeteve për gjashtë mujorin e dytë të vitit 2025, punëtorët e Radiotelevizionit te Kosovës rrezikojnë të mbesin pa paga e rrjedhimisht 700 familje kosovare pa mirëqenie e shumë prej tyre edhe në obligime kreditore ndaj bankave komerciale në vend”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre sindikatave.
Sipas tyre, mosalokimi eventual i buxhetit deri të premten nga ana e institucioneve përgjegjëse, do t`i lë punëtorët pa paga dhe rrjedhimisht Sindikata e Pavarur të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, do të detyrohen të thërrasin Protestë të Përgjithshme më datë 4 gusht 2025, në orën 11:00 para objektit të Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së dhe atij të Qeverisë së Kosovës.
“Prandaj, kërkojmë edhe njëherë nga qeveria në detyrë që të marrin masa të menjëhershme për alokimin e buxhetit të miratuar sipas ligjit, për të shmangur kështu protestat dhe veprimet e tjera sindikale”, thuhet tutje në komunikatë.