Kosova, gjatë muajit korrik u ballafaqua me vatra të shumta zjarresh, që përfshinë sipërfaqe të tokave bujqësore, ku shkaktuan dëme të mëdha ekonomike e mjedisore.

Nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave nuk kanë treguar për Radio Kosovën se sa ka qenë numri i zjarreve fushore gjatë korrikut dhe nëse ka pasur shtim apo zvogëlim të rasteve, krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, pas përfundimit të fushatës së korrje-shirjes, edhe këtë vit, bujqit e jo vetëm, po ia vënë flakën hamulloreve.

Kjo praktikë që përsëritet ndër vite është gjë e keqe dhe shumë e dëmshëm për tokën, thotë profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Djegia e hamulloreve është e kobshme, e pa arsyeshme dhe në asnjë mënyrë nuk justifikohet, sepse sjell vetëm dëme. E para, gjithë masa organike kur digjet, kalciumi dhe fosfori mbeten në hi dhe humbin vlerat ushqyese. Azoti avullohet menjëherë. Pra, kemi humbje të elementeve ushqyese. Dhe nuk është kjo e tëra, por me djegien e hamulloreve ne shkatërrojmë mikro-florën, mikro-faunën, pra shkatërrojmë mikroorganizmat të cilët luajnë rol esencial në mineralizimin e materieve ushqyese”, shpjegoi ai.

Teksa rekomandon që të mos digjen hamulloret, por të përmbysen ato, profesor Rusinovci pohon për Radio Kosovën se, bujqit duke menduar që po e pastrojnë tokën po e varfërojnë dhe shkatërrojnë atë.

Ndërsa, profesor Elez Krasniqi, i cili ligjëron lëndë për ekologjinë, thotë se djegia e hamulloreve dhe zjarret fushore, lënë pasoja të mëdha e shkatërrimtare në tokë.

“Zjarri e shkatërron habitain, e cenon ekosistemin dhe sjellë vdekshmëri në hapësirat që përfshinë, për arsye se aty mund të jetojnë me mijëra e mijëra lloje, të cilat zhvillojnë aktivitetet e tyre të përminutshme. Pra, zjarret ndryshojnë përbërësit e ekosistemit, ndryshojnë ciklin hidrologjik të tokës, ndryshojnë ajrosjen e tokës e cila është e domosdoshme, dhe në këtë mënyrë paraqiten ndryshime ekologjike afatgjata, të cilat nëse përsëriten mund të ndikojnë edhe në ndryshime klimatike”, theksoi Krasniqi.

Djegia e hamulloreve, përveç dëmeve të mëdha që i shkakton në tokë, ndotë edhe ajrin. Andaj, marrë parasysh këto dëme e jo vetëm, djegia e hamulloreve është e ndaluar dhe ndëshkuar në shumë shtete. Zjarr-vënia e qëllimshme është e ndaluar dhe ndëshkohet penalisht edhe në Kosovë.