Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmin ndaj dy zyrtarëve policor në fshatin Drobesh të Vitisë, duke e quajtur sulmin të papranueshëm. Ata u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që lulon zyrtarët policor në uniformë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me sulmin e papranueshëm që u është bërë dy zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga tre persona të dyshuar në fshatin Drobesh, Komuna e Vitisë. Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës. Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm”, thuhet në reagimin e sindikatës,
Njëkohësisht, Sindikata e Policisë së Kosovës ka apeluar te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë punën e Policisë, të mos ushtrojnë rezistencë ndaj urdhrave ligjorë të zyrtarëve policorë, pasi, siç thonë, një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike.
“Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme. Sindikata e Policisë së Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në përkrahje të secilit zyrtar policor në përmbushje të misionit të tij ligjor dhe profesional”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Policia në raportin 24 orësh ka treguar se zyrtarët policorë, mbrëmë rreth orën 20:00 në fshatin Drobesh të Vitisë kanë hasur në rezistencë gjatë tentim arrestimit të tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë sulmuar fizikisht nga të dyshuarit.
“Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar, kurse njëri nga të dyshuarit gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thotë Policia e Kosovës.