Në konferencën për shtyp pas mbledhjes, Vuçiç theksoi se vendimi kundër Dodikut është politik, jodemokratik dhe përbën kërcënim për sigurinë në rajon. “Serbia nuk e njeh këtë vendim dhe ky qëndrim është detyrues për të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë,” tha Vuçiç.

Ai shtoi se vendimi i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, për të ndaluar angazhimin politik të Dodikut, përbën “anulim të vullnetit të qytetarëve të Republikës Srpska”, të cilët e kanë zgjedhur atë si përfaqësues legjitim.

Presidenti serb bëri të ditur se gjatë ditës kishte biseduar me dy liderë botërorë për situatën e krijuar dhe kishte theksuar se Serbia do të sillet si një shtet sovran. Ai e përshkroi situatën aktuale si më të vështirën për Serbinë që nga viti 2008.

Në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve lidhur me mundësinë e arrestimit të Dodikut nëse ndodhet në territorin serb, Vuçiç u shpreh kategorik: “Nëse lëshohet një urdhër arresti për Milorad Dodikun ndërsa ai ndodhet në Serbi, Serbia nuk do ta arrestojë atë. Ai është gjithmonë i mirëpritur këtu”, transmeton Danas.

Vuçiç akuzoi gjithashtu struktura të brendshme dhe agjenci të huaja për një plan të mirëpërgatitur për të neutralizuar ndikimin politik të Dodikut dhe për të përgatitur një skenar ku vendimi të harrohet përkohësisht, për t’u rikthyer më pas në një kontekst të favorshëm për zbatimin e tij.

Ai përfundoi duke thënë se Serbia do të vazhdojë të mbrojë integritetin e saj dhe të mbështesë përfaqësuesit legjitimë të serbëve në rajon.