Më 3 gusht 2015, 82 nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro ndryshimit të amendamentit kushtetues që mundësoi krijimin e kësaj gjykate, ndërsa 5 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Votimi i hapi rrugë Qeverisë së atëhershme të dërgonte dy projektligje të tjera që lidheshin me funksionalizimin e Dhomave të Specializuara, të cilat u vendosën në Hagë.

Opozita e asaj kohe (Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) e kundërshtoi ashpër këtë vendim, duke e cilësuar të padrejtë, selektiv dhe si një mekanizëm që cenon sovranitetin e vendit. Ndërkohë, pozita dhe Qeveria e atëhershme, ndonëse e quajtën votimin të padrejtë, e konsideruan të domosdoshëm për të adresuar akuzat për krime të pretenduara që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit. Por, edhe nga partitë në pushtet kishte deputetë që votuan kundër.

E në dhjetëvjetorin e themelimit të kësaj gjykate, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë paqësore më 7 gusht në Prishtinë. Kjo protestë, sipas drejtuesve të organizatës, vjen si reagim ndaj asaj që e quajnë qasje të njëanshme të Gjykatës Speciale dhe përpjekje për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.

“Gjykata Speciale po shërben si mekanizëm për përbaltjen e figurave kryesore të luftës dhe për deformimin e qëllimit të saj çlirimtar”, u tha në konferencën për media të mbajtur nga OVL-UÇK gjatë kësaj jave.

Kjo protestë po mbështetet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe udhëheqës tjerë politikë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se “zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë”.

Ai ka shtuar se raportimet e fundit për përdorimin e provave të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë nga kjo gjykatë vetëm sa e thellojnë krizën e besimit në këtë proces.

Deri tani, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuza ndaj disa prej figurave më të larta të luftës përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.