Gjykata Speciale në Hagë, e themeluar mbi bazë të ligjeve të Kosovës, funksionon në mënyrë tërësisht të pavarur. Atë nuk e mbikëqyr as Këshilli Gjyqësor i Kosovës e as ndonjë organ tjetër i vendit. Sipas avokatit Skënder Musa, pa u ndryshuar dispozitat ligjore dhe të parashihet se kujt do t’i raportojë kjo gjykatë, nuk mund të vendoset asnjë mekanizëm për të kontrolluar punën e saj.

Por, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë, përmes aktakuzave të ndërtuara mbi konceptin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, avokati Musa mendon se kjo gjykatë po tenton të zhvlerësojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në pyetje të prokurorëve që u drejtohen dëshmitarëve se a kanë luftuar, a kanë qenë me armë, që në fakt nuk diskutohet që në Kosovë ka pasur luftë të armatosur, ka pasur agresion të Serbisë dhe pastaj mbrojtja që është bërë nga ushtarët e UÇK-së, tregon se tenton të njollosë luftën e UÇK-së”, tha Skënder Musa, avokat.

Në këtë fazë të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, mbrojtja duhet të punojë me përkushtim për të kundërshtuar provat dhe për të paraqitur fakte që tregojnë realitetin e vërtetë në Kosovë gjatë luftë, tha Musa.

Avokati Musa e Organizata e Veteranëve të UÇK-së, kanë shtruar nevojën se institucionet vendore duhet të angazhohen më fuqishëm në kundërshtimin e këtij narrativi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë shumë fusha që mund të ndikojnë, duke filluar nga garantimi i institucioneve shtetërore të Kosovës se Policia e Kosovës ka arritur standarde të larta që  mund të sigurojë praninë e të pandehurve në procedurë edhe nëse iu ndërpritet masa e paraburgimit. Pastaj mund ta garantojnë Gjykatën Speciale që të akuzuarit nuk do të kontaktojnë me asnjë lloj dëshmitari dhe të afërmi të tyre dhe nuk do ta rrezikojnë jetën dhe as shëndetin e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre”, tha Musa.

“Institucionet tona nuk është mirë të pengojnë procesin, ju e dini  një udhëzim administrativ i ministres Haxhiu ka parandaluar të ketë fonde shtesë për mbrojtjen e të akuzuarve atje, bashkëluftëtarëve tanë.  Institucionet tona kanë mundësi të konstituojnë kuvendin e pastaj Kuvendi të kontraktoj një institucion, një institut ndërkombëtar për monitorim të gjykatave ndërkombëtare që ka të tillë e ai institut të shkojë të monitorojë çka po ndodhë atje në gjykatën tonë.

Qasja e Prokurorisë Speciale në Hagë, sipas avokatëve dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, përbën përpjekje të qarta për ta njollosur luftën për liri dhe për të barazuar viktimën me agresorin.