Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë me dije se në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë sot një aksion të koordinuar, që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në Prizren dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
“Ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje theksohet se në mesin e personave të arrestuar gjendet edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, ndaj të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Aktualisht, hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore në terren, në funksion të zbardhjes së plotë të çështjes dhe grumbullimit të provave relevante”, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu thuhet se IPK, si pjesë e procedurës administrative ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor.
Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në bashkëpunim ndërinstitucional dhe të vendosura në luftën kundër çfarëdo forme të krimit, përfshirë edhe atë të kryer nga zyrtarë publik.