Policia Rajonale e Ferizajt ka iniciuar një rast penal ndaj një personi të dyshuar për mbajtje të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pas një incidenti me të shtëna gjatë një dasme në fshatin Greme.
Ngjarja ndodhi më datë 2 gusht 2025, rreth orës 13:00, kur policia u informua për të shtëna me armë zjarri në këtë lokalitet.
Njësitet relevante reaguan menjëherë dhe dolën në vendin e ngjarjes, ku në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit S.A. (57 vjeç), u gjetën dhe sekuestruan 50 gëzhoja, e më pas policia konfiskoi dy armë zjarri, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie.
Hetimet kanë vazhduar edhe më 3 gusht, kur dyshimet për ekzistencën e armëve të tjera çuan në dorëzimin vullnetar të edhe dy armëve të tjera nga i dyshuari: një tjetër pushkë gjuetie dhe një pistoletë, të cilat janë sekuestruar nga Policia.
Policia e Ferizajt apelon te qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve gjatë festave. Të shtënat me armë rrezikojnë jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve dhe mund të kenë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme.
“Gëzimet festoni me zemër, jo me armë!”, thuhet në apelin e Policisë.