Faturat e energjisë elektrike u kanë ardhur dyfish më shtrenjtë një pjese të bizneseve të mëdha në vend. Pronarët e tyre ankohen se, edhe pse nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim pas daljes në tregun e lirë, faturat po u vijnë shumë të shtrenjta nga KEK-u.

 

Një pjesë e tyre kanë paralajmëruar edhe rritje të çmimeve për konsumatorët. Ndërsa Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me pezullimin e vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë. Nga kjo zyrë nuk janë deklaruar se si do të veprojnë tutje.

Tetë mijë euro i ka ardhur fatura e energjisë elektrike për një njësi Hamdi Malushajt, pronar i dy kompanive të telekomunikimit në Prishtinë. Malushaj thotë se fatura, e cila i erdhi javën e kaluar, ishte dyfish më e shtrenjtë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Malushaj thekson se biznesi i tij ka dalë në treg të lirë të energjisë, megjithëse ai nuk ka lidhur asnjë marrëveshje me operatorë privatë për furnizim.

Për çka, ai ngre dyshime se si janë bërë kalkulimet e shpenzimeve nga KEK-u dhe sa ka bazë e njëjta t’ia faturojë ato pa pasur një marrëveshje të lidhur.

Si Malushaj edhe qindra biznese tjera të mëdha vlerësohet se nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim me operatorë privatë pas vendimit të ZRRE-së për dalje në treg të lirë.

Ndërsa, nga rreth 1.300 biznese sa kanë dalë në treg të lirë, 250 kanë lidhur marrëveshje për furnizim me KESCO-n.

ZRRE pati paralajmëruar se pas datës 30 korrik do t’ua ndërpres energjinë elektrike të gjitha bizneseve të mëdha që kanë dalë në treg të lirë, por që nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim. Një veprim i tillë ende nuk është marrë, teksa ZRRE që nga fundi i javës së kaluar nuk është deklaruar se si do të veprohet tutje.

Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të lirë nuk është pezulluar, megjithëse nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me operatorët privat.

Pavarësisht insistimit të televizionit, as nga KEK-u nuk janë përgjigjur rreth faturimit të bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me të.