Në nderim të veprimtarit të shquar shqiptar, Rexhep Galit Balidemaj, në Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj u mbajt manifestimi letrar-shkencor “Vuthaj 2025”. Balidemaj, i cili ishte arrestuar dhe dënuar në periudha të ndryshme të jetës së tij, vuajti 16 vjet burg në kazamatet jugosllave për veprimtarinë e tij atdhetare.

“Që nga rinia deri në moshë të shtyrë, pa u ndalur dhe pa u përkulur kurrë, Rexhep Balidemaj la pas jo vetëm familjen, por edhe një trashëgimi të veprimeve atdhetare. Ai na la një shtet të ri, një amanet të çmuar – idealin e bashkimit të tokave shqiptare, i cili e frymëzoi dhe i dha kuptim gjithë jetës së tij”, tha në fjalën e tij Bajrush Xhemajli, ish-i burgosur politik.

“Kjo shprehje e solidaritetit të popullit të këtij cepi të atdheut, që si gjithmonë më parë, në çaste vendimtare historike, iu bashkua veprimtarisë çlirimtare, e cila po avanconte gjithnjë e më shumë”, tha ndërkaq Binak Ulaj nga Vuthaj

Në kuadër të këtij manifestimi u përurua edhe libri “Shtigje të lirisë – Leksikoni i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi (1945–1953)”, i autorit dhe studiuesit Zymer Neziri. Në fjalën e tij, profesor Neziri theksoi se vetëm gjatë periudhës 1944–1999 në burgjet e ish-Jugosllavisë ndaj veprimtarëve shqiptarë janë shqiptuar rreth 700 shekuj burg politik.

“Pra, 700 shekuj burg politik vetëm në periudhën 1944–1999, ndër ta edhe i pavdekshmi Adem Demaçi. Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe 300 shekuj të tjerë, nga periudha 1912–1941, atëherë del se gjatë një shekulli robëri jugosllave, veprimtaria kombëtare shqiptare është gjykuar me rreth 1.000 shekuj burg politik,” deklaroi profesor Zymer Neziri.

Me këtë rast, Shoqëria “Lëvizja”, si organizatore e manifestimit, ndau mirënjohje popullit të Plavës dhe Gucisë për ngritjen e flamurit kombëtar më 12 tetor 1968. Ndërsa Binak Ulaj u nderua me mirënjohje të veçantë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.