Rreth orës 09:00 të mëngjesit, Stacioni Policor në Shtime ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri gjatë një dasme në fshatin Petrovë.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar personin e dyshuar, i cili ka dorëzuar armën vullnetarisht. Arma është konfiskuar nga ana e Policisë.
“Në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, është intervistuar i dyshuari A.B., 23 vjeç. Po ashtu, në kuadër të hetimeve është intervistuar edhe një person tjetër i dyshuar, A.M., 45 vjeç, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm””, thuhet në njoftim.
Rasti është njoftuar tek Prokurori i Shtetit, i cili ka vendosur që të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve në festa, pasi kjo sjellje përbën rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
“Gëzimet le të festohen me zemër, jo me armë!” Çdo e shtënë me armë zjarri mund të sjellë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme”, thuhet në njoftim.