atsh
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë, Blendi Gonxhja, kujtoi sot, përmes rrjeteve sociale, se në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” vazhdon të jetë ekspozita e veçantë “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.
Kjo ekspozitë ka sjellë për herë të parë koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit ruheshin në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit.
Paolo Lazza apo Palokë Laca i kishte shitur departamentit të Muzeut Kombëtar të Etnografisë së Budapestit, rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare. Me hulumtimin në detaje të kësaj figure u angazhua vetë drejtori i “Marubit”, Luçjan Bedeni dhe kuratorja Knopper.
Ministri Gonxhja fton çdokënd që ka mundësi ta vizitojë këtë ekspozitë e cila është e hapur çdo ditë, nga e hëna në të dielë, nga ora 09:00-19:00.
Eskpozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” ka si kuratore Kim Knoppers. Një hapësirë e veçantë në këtë ekspozitë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.